KryesoreLajme
Kryesore

Zëri i Shpresës për Autizmin” – Dr. Liri Berisha dhe Salvador Kaçaj nderohen me ‘Medalje Merite’ në konferencën ndërkombëtare në Tiranë

Dr. Liri Berisha, presidente e Fondacionit ‘Fëmijët Shqiptarë’ dhe Salvador Kaçaj u vlerësuan me “Medalje Merite” nga Konfederata Ndërkombëtare e Prioritateve të Mëdha Autonome, Kalorësit e Maltës, gjatë punimeve të konferencës shkencore “Bota e Autizmit”, mbajtur në Tiranë.

Teksa shprehu mirënjohje për vlerësimin, Doktor Liri Berisha theksoi rëndësinë që ka dëgjimi i profesionistëve të fushës nga mjekët e rinj, në mënyrë që kontributi në sjelljen e shpresës për fëmijët autikë të jetë sa më i madh. “Autizmi nuk mund të quhet më sindromë izolimi. Ai mund të sfidohet nga prindërit heronj, siç jeni ju dhe nga specialistët që jeni po në këtë sallë. Dua të theksoj fort se sot më shumë se kurrë, zëri i profesionistëve të vërtetë të fushës, dhe risitë e konferencave të tilla duhet të dëgjohen më shumë nga ju mediat, vetëm kështu do të përcjellim mesazhin e kolauduar shkencërisht dhe për rrjedhojë do të kemi qasjen e duhur në zgjidhjen e çështjeve që ne sot na mungojnë.

Do të doja që profesionistët e rinj të fushës, ata që janë sot në hapat e para të trajtimit të fëmijëve të vegjël me këtë fenomen, të bëhen sy e veshë ndaj profesionistëve më në zë që ka fituar sot ky format shkencor, dhe të përfitojnë sa më shumë nga eksperienca dhe faktet që ata do të sjellin këto ditë në vendin tonë.

Fondacioni ‘Fëmijët Shqiptarë’, siç e ka bërë traditë organizimin e konferencave të të gjitha profileve, do të vijojë të jetë zëri i tyre të gjithëve në botën e autizmit. Zëri i profesionistëve, i mjekëve, i akademikëve, i prindërve, si dhe i fëmijëve tashmë të rritur që artikulojnë kaq bukur dhe lirshëm mesazhet e tyre.

Në fillimin e punimeve të kësaj konference, dua të përcjell falënderim për të gjitha përpjekjet që po bëni, duke sjellë pak dritë dhe shpresë në familjet që vuajnë këtë diagnozë.Shpresoj që Tirana dhe fondacioni ‘Fëmijët Shqiptarë’ të jenë sërish mikpritësit e projekteve madhore në botën e autizmit” – tha Liri Berisha.

Në fjalën e tij, Salvador Kaçaj përfaqësues i Priorisë së Madhe Autonome të Kalorësve të Maltës në Shqipëri bëri thirrje për një shoqëri më të ndjeshme, më të dashur dhe më njerëzore ndaj personave në spektrin e autizmit.

“Unë vetë kam një pjesëtar në familjen time me autizëm, nipin tim. Për shkak se i ati i tij ka ndërruar jetë, jam kujdesur unë për të. Këta fëmijë kanë nevojë për shumë dashuri dhe urtësi. Jam edhe unë i emocionuar, ashtu siç tha edhe doktoresha, sepse për fat të keq shoqëria jonë nuk është ende mjaft e ndjeshme. Këtu kanë ardhur njerëz nga e gjithë bota për të mbështetur këtë shtresë të ndjeshme. I falënderoj të gjithë zotërinjtë dhe zonjat që kanë ardhur nga jashtë kufijve tanë për të ndihmuar këta fëmijë. Për hir të së vërtetës, është detyrë e shoqërisë sonë të jemi më të ndjeshëm, më të vërtetë, më njerëzorë ndaj tyre.

Kjo shtresë ka nevojë për ne. Janë shtresa më brilante, më të mirë se ne. Ai që nuk e kupton këtë, i mjeri ai, sepse një ditë do të dënohet dhe do të japë llogari para Zotit.Për këta fëmijë, Zoti i tyre në tokë jemi ne, ne që duhet të kujdesemi për ta dhe t’u shërbejmë me përkushtim. Dua t’ju falënderoj përzemërsisht dhe shpresoj që vitin tjetër, në muajin e autizmit, të organizojmë një konferencë edhe më të madhe. Unë jam i përkushtuar, së bashku me Urdhrin e Maltës, për të kontribuar në të gjithë Shqipërinë në mbështetje të këtyre fëmijëve dhe për çdo njeri që ndihmon këtë shtresë.

Kjo shtresë meriton me shpirt dhe me zemër shërbim, dashuri dhe përkushtim. U uroj të gjithëve që kanë këta fëmijë jetë të gjatë, dhe sa më shumë dashuri e ngrohtësi në jetën e tyre”, u shpreh Salvador Kaçaj.

Në konferencën shkencore ndërkombëtare “Bota e Autizmit” morën pjesë profesorë dhe mjekë vendas e të huaj, të cilët dhanë kontributin e tyre përmes qasjeve teorike dhe praktike në avancimin e studimeve për autizmin.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button