Zemaj kritikon shuarjen e MPMS-së: Vendim joefikas, mungesë mbrojtjeje për punëtorët

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kritikuar ashpër vendimin për shuarjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), duke e cilësuar si joefikas dhe të paanalizuar si duhet.
“Këtë nuk e themi nga një parti që ka qenë në ish-opozitë, por nga shqetësimet tona që jemi përballë në fillim të mandatit më 2021”, deklaroi Zemaj gjatë një tryeze të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Sipas tij, shpërndarja e funksioneve të MPMS-së në Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Shëndetësisë ka rezultuar e pasuksesshme, duke theksuar se këto dikastere nuk kanë arritur të trajtojnë skemat sociale dhe funksionimin e Qendrave për Punë Sociale.
“Është mungesë totale e një hapi konkret që mbron punëtorin ose avancon të drejtat e tij. Nuk ka siguri në punë, trajtim dinjitoz apo adresim të ankesave”, tha ai.
Zemaj përmendi rastin e largimit të 280 punëtorëve nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës brenda një dite, duke e cilësuar si “fatkeqësi” dhe “tregues të mungesës së përgjegjësisë institucionale”.
Ai gjithashtu kritikoi vendimet e pushtetit të kaluar si populiste dhe të padobishme, duke e lidhur këtë me valët e migrimit që sipas tij nuk përfshijnë vetëm shtresat sociale, por edhe profesionistët, përfshirë mjekë, infermierë dhe inxhinierë.
Në këtë ngjarje, IKD prezantoi raportin e titulluar “Ndikimi i bashkimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale me Ministrinë e Financave – Analizë e reformës qeveritare në fushën sociale”, mbështetur nga National Endowment for Democracy dhe Rockefeller Brothers Fund.
Zemaj vlerësoi se ky raport mund të shërbejë si udhërrëfyes për legjislaturën e re, duke i ndihmuar në rikthimin e një strukture funksionale dhe të pavarur për mbrojtjen sociale në vend.