Zbulohet përmbajtja e kërcënimit me bombë në Kuvendin e Kosovës, seanca shtyhet për në ora 20:00

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Arben Loshi, ka zbuluar përmbajtjen e mesazhit kërcënues që ka shkaktuar evakuimin e ndërtesës së Kuvendit paraditen e sotme.
Në një deklaratë për mediat, Loshi bëri të ditur se kërcënimi ishte bërë përmes një telefonate në gjuhën angleze, ku thuhej se një bombë ishte vendosur në objektin e Kuvendit dhe se ajo do të shpërthente brenda 10 minutave.
“Sipas njoftimit që është dhënë nga policia në sallën plenare, kur është kërkuar evakuimi i menjëhershëm, është bërë e ditur se një person ka telefonuar në gjuhën angleze dhe ka thënë se një bombë është vendosur në ndërtesën e Kuvendit, dhe e njëjta do të shpërthejë pas 10 minutash,” deklaroi Loshi.
Ai nuk dha detaje se kujt saktësisht i ishte dërguar njoftimi fillestar, duke theksuar se informacionet e plota janë në duart e Policisë së Kosovës.
“Njoftimin neve si administratë na ka dhënë policia për t’i liruar hapësirat. Njoftimet tjera i posedon policia. Nuk mund të konfirmoj apo mohoj diçka që nuk e dimë saktë se kush është njoftuar,” tha ai.
Si pasojë e këtij incidenti, seanca konstituive e Kuvendit, e paraparë të mbahej sot në orën 11:00, është shtyrë për në ora 20:00 të mbrëmjes.