Lajme

Zbulohet një funksion i ri i rrudhave të gishtave në ujë: A janë të njëjta çdo herë?

Nëse ke qëndruar ndonjëherë gjatë në vaskë apo pishinë, me siguri ke vënë re që gishtat e duarve bëhen të rrudhur – një fenomen që deri tani konsiderohej më shumë si kuriozitet. Por një studim i ri i publikuar në Journal of the Mechanical Behavior of Biomedical Materials ka zbuluar se këto rrudha nuk janë rastësore – ato ndjekin një model të caktuar dhe mund të kenë rëndësi të madhe edhe për mjekësinë ligjore.

Profesori i asociuar Guy German nga Universiteti i Binghamton-it, së bashku me ish-studenten Rachel Laytin, hulumtuan nëse rrudhat në gishta formohen njësoj çdo herë pas ekspozimit në ujë. Ata zhytën gishtat e pjesëmarrësve në ujë për 30 minuta, i fotografuan, dhe e përsëritën të njëjtin proces pas 24 orësh. Rezultatet treguan se rrudhat ndjekin të njëjtin model në çdo zhytje – për shkak se enët e gjakut nën lëkurë nuk ndryshojnë pozicion ndjeshëm.

Por zbulimi më befasues erdhi kur një student me dëmtim të nervit median në gishta nuk formoi asnjë rrudhë gjatë testit – duke provuar se rrudhat nuk janë vetëm efekt i ujit, por i lidhur ngushtë me sistemin nervor.

Ky studim, i frymëzuar nga një pyetje e thjeshtë e një nxënësi, mund të shndërrohet në një ndihmesë të çmuar për hetimet kriminalistike, veçanërisht për identifikimin e trupave që kanë qëndruar gjatë nën ujë.

“Gjithmonë mendoj për biometrinë dhe gjurmët e gishtave,” tha German, djali i një oficeri policie të dalë në pension në Mbretërinë e Bashkuar. “Është si të jesh fëmijë në një dyqan ëmbëlsirash – ka aq shumë shkencë që ende nuk e njohim.”

Ky kërkim jo vetëm që i dha përgjigje një pyetjeje të thjeshtë, por hapi dyer për zbulime të reja në biologji, inxhinieri dhe kriminalistikë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button