Kosova

Zbarkimi i FSK-së në veri ndez tensione diplomatike: Gjermania dhe Franca kundërshtojnë politizimin e operacionit humanitar

Ndërhyrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të vendit, në kuadër të një operacioni kërkim-shpëtimi me karakter humanitar, është shoqëruar me reagime të ashpra diplomatike nga Gjermania dhe Franca. Ato kanë dënuar publikisht përpjekjet për politizim të këtij angazhimi, duke kërkuar transparencë dhe respektim të bashkëpunimit ndërinstitucional.

FSK-ja, e mbështetur dhe autorizuar nga Komandanti i KFOR-it, ndërhyri në zonën e liqenit për të ndihmuar në kërkimin e një personi të zhdukur. Por, deklaratat e disa eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët e paraqitën këtë si “zbarkimin e parë të FSK-së në veri”, u konsideruan si të pasakta dhe të dëmshme nga diplomacia perëndimore.

Ambasada Gjermane në Prishtinë reagoi menjëherë, duke cilësuar keqinterpretimin si “të rrezikshëm dhe mashtrues”. Sipas saj, operacioni i FSK-së ishte tërësisht në përputhje me mandatin e KFOR-it dhe çdo përpjekje për ta paraqitur ndryshe përbën një devijim nga qëllimi i misionit – ndihma humanitare.

“Pretendimet për manipulime të imazheve, duke hequr nga pamjet elementët e dukshëm të pranishëm të KFOR-it, janë shqetësuese. Këto veprime cenojnë besimin publik dhe shpërqendrojnë vëmendjen nga nevoja për respektimin e dinjitetit të viktimës,” thuhet në reagimin e Ambasadës Gjermane.

Në të njëjtën frymë reagoi edhe Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, i cili përmes një postimi në platformën “X” dënoi manipulimin e informacionit dhe shprehu mbështetje të pakushtëzuar për rolin e KFOR-it në rajon.

“Manipulimi i informacionit po bëhet sistematik. KFOR-i ka një rol të pazëvendësueshëm në sigurinë e rajonit, dhe meriton respekt të plotë. Mbështetja jonë për të do të vazhdojë,” shkroi Guerot, duke përgëzuar mediat që raportuan me saktësi.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar akuzat për manipulim. Zëdhënësi i saj, Arlind Manxhuka, përmes një postimi në Facebook, tha se lajmi për manipulimin e fotografive është i pavërtetë dhe se reagimet ndërkombëtare duhet të bazohen në fakte.

“Vet lajmi për manipulimin e fotografisë nga ana e VV-së është fake, nëse çka duhet ju ka vendosur në lajthitje edhe vet juve,” shkroi Manxhuka, duke hedhur poshtë pretendimet për propagandë.

Zhvillimet e fundit rrisin edhe më tej tensionet në raportet ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, në një kohë kur kërkohet koordinim i ngushtë dhe mospolitizim i operacioneve me karakter humanitar dhe të sigurisë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button