Lajme

Zbardhet pas 7 vitesh vrasja e 18-vjeçarit Antonio Karafili – Partnerja e tij dhe një 65-vjeçar, autorët e dyshuar

Zbardhet pas gati 7 vitesh ngjarja e rëndë e ndodhur më 14 qershor 2018 në një pyll të Voskopojës, ku 18-vjeçari Antonio Karafili u gjet i varur në një pishë. Ngjarja u raportua fillimisht si vetëvrasje, por hetimet e mëvonshme kanë zbuluar se bëhej fjalë për një vrasje të mirëorganizuar.

Provat nga vendngjarja dhe dëshmitë e mbledhura kanë çuar në identifikimin e autorëve të dyshuar: Kejsi Spaillari, partnerja e viktimës, dhe i dashuri i saj i moshuar, 65-vjeçari Rexhep Vathi. Sipas hetimeve, Antonio u vra në makinën e Kejsit rreth 3 km larg vendit ku më pas u inskenua vetëvarja. Si motiv i mundshëm i krimit dyshohet zbulimi nga Antonio i lidhjes paralele mes Kejsit dhe Vathit.

Rasti u mbajtur i mbyllur për vite me radhë si vetëvrasje, derisa nëna e të ndjerit, e bindur në pafajësinë e të birit, kërkoi drejtësi për më shumë se 7 vite. Me lot në sy, ajo është rikthyer në vendin ku Antonio humbi jetën, duke shprehur dhimbjen e thellë dhe kërkuar përgjigje për vrasjen e djalit të saj.

“Vetëm shpirti im e di sa kam vuajtur për atë fëmijë. Është e qartë që ishte vrasje, jo vetëvrasje. Edhe pa prova, mënyra si ka ndodhur e tregon vetë gjithçka”, u shpreh ajo për emisionin “Stop”.

Sipas investigimit të emisionit, në ditën e ngjarjes, Kejsi kishte marrë me makinën e saj nënën dhe vëllain e Antonios për t’i çuar në pyllin ku më vonë u gjet trupi i pajetë. Ajo kishte njoftuar më parë nënën e saj me mesazh për vetëvarjen e Antonio Karafilit. Por provat e mbledhura e përgënjeshtrojnë këtë version. Çarçafi me të cilin ishte varur Antonio ishte përdorur më parë nga Rexhep Vathi për mbarështimin e bletëve, ndërsa në makinën e Kejsit u gjetën ora dhe varësja e këputur e viktimës.

Rexhep Vathi i dha fund jetës në gusht 2024, duke konsumuar fostoksinë. Për pasojë, çështja ndaj tij është pushuar. Ndërkohë, për 24-vjeçaren Kejsi Spaillari është ngritur akuza e “vrasjes në bashkëpunim” dhe Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë.

Ajo ndodhet aktualisht në Kanada, ku është e martuar dhe me fëmijë. Interpol ka lokalizuar vendndodhjen e saj dhe pritet që së shpejti të ekstradohet në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button