Zbardhen detaje të reja nga vrasja e Renato Hoxhajt, dyshohet se ishte informator i grupeve kriminale – Autori i krimit i porositur nga Dubai

Zbardhen detaje të reja nga vrasja e ndodhur disa ditë më parë në Vlorë, ku mbeti i vrarë Renato Hoxhaj. Sipas burimeve të A2 CNN, viktima dyshohet se ishte informator i disa grupeve kriminale, ndërsa pista kryesore e hetimeve sugjeron se atentati është porositur nga Dubai.
Autoritetet kanë identifikuar një shtetas rumun si autorin e dyshuar të ekzekutimit. Megjithatë, kombësia e tij ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, pasi policia e Vlorës mbetet e rezervuar në detaje. Dyshohet gjithashtu se ai mund të jetë edhe shtetas grek. Hetuesit besojnë se autori është larguar nga territori shqiptar përmes pikës kufitare të Qafë Botës, dhe aktualisht është shpallur në kërkim.
Në pranga është vënë Eris Mehmetaj, i dyshuar si bashkëpunëtor i krimit, pasi dyshohet se ka ndihmuar autorin për t’u larguar dhe ka blerë automjetin e përdorur në atentat.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në ekzekutim janë përdorur dy armë zjarri. Fillimisht, Hoxhaj është qëlluar në bark me një pistoletë dhe më pas është goditur dy herë në kokë me një tjetër armë. Dyshohet gjithashtu se autori, shtetasi rumun, ka qenë më parë i dënuar për krime të tjera, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar zyrtarisht.
Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në këtë atentat mafioz që ka tronditur qytetin e Vlorës.