Zafir Berisha kritikon Sveçlën për arrestimin e Popoviqit: “Më keq se ai kanë folur Donika Gërvalla e Hekuran Murati”

Kandidati për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha, ka reaguar ashpër ndaj ministrit të Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, pas arrestimit të Igor Popoviqit – bashkëpunëtor i Petar Petkoviqit – i cili dyshohet se ka përdorur gjuhë nxitëse ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Berisha e ka cilësuar Sveçlën si “dezertor” dhe ka thënë se po mundohet të manipulojë opinionin publik me “propagandë gebelsiane”.
“Xhelali qenka krekosur si gjel mbi pleh për ndalimin e një serbi, i cili në një fjalim në Rahovec paska përdorur gjuhë të ashpër kundër UÇK-së. Por, Xhelal dezertori nuk e di a i ka dëgjuar kolegët e vet, si Donika Gërvalla, Hekuran Murati, Shkëlzen Gashi e Nazlie Bala, që kanë folur më keq se Popoviqi për UÇK-në. Asnjëri prej tyre nuk u ndalua – përkundrazi, u shpërblyen me poste qeveritare,” ka shkruar Berisha në një reagim në rrjetet sociale.
Ai ka shtuar se për më shumë se 20 vjet, platforma të ndryshme dhe faqe në rrjete sociale që, sipas tij, financohen nga Serbia, kanë shpifur ndaj UÇK-së, por asnjëherë nuk kanë hasur në pengesë nga institucionet.
“Përkundrazi, ajo propagandë është shfrytëzuar për llogari të politikës ditore,” përfundon Berisha.