Ymeri: Bllokada në Kuvend i kushton Kosovës 882 milionë euro nga BE, rrezikohet zhvillimi ekonomik

Ish-bashkëpartiaku i Albin Kurtit dhe ish-kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka ngritur alarmin për humbjet e mëdha që po i shkaktohen Kosovës për shkak të bllokadës institucionale në Kuvend. Ai ka deklaruar se mungesa e vendimeve dhe qëndrimi jokonstruktiv në dialog me Serbinë i kanë pamundësuar Kosovës qasjen në 882 milionë euro nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian.
Në një intervistë për “Front Online”, Ymeri tha se situata aktuale po e vendos Kosovën në një pozitë të pafavorshme dhe e paraqet si një partnere jo të besueshme për BE-në.
“Qasja në këto fonde kërkon një qëndrim konstruktiv në dialogun me Serbinë. Kjo sjell një dëm të drejtpërdrejtë politik dhe reputacional, pasi BE e sheh Kosovën si një partnere jo të besueshme për t’i menaxhuar fondet apo për të përmbushur obligimet,” theksoi Ymeri.
Ai paralajmëroi se mungesa e këtyre mjeteve financiare do të ketë pasoja konkrete për ekonominë e vendit, duke përfshirë humbjen e investimeve në sektorë strategjikë, frenimin e zhvillimit ekonomik dhe rritjen e papunësisë.
“Kemi humbje të investimeve potenciale në sektorët kyç si transporti, energjia, teknologjia, bujqësia dhe inovacioni. Po ashtu, ndodh mospërfitimi nga rritja ekonomike rajonale dhe frenimi i sektorit privat, veçanërisht ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, që janë jetike për zhvillimin ekonomik,” shtoi ai.
Sipas Ymerit, kjo situatë rrezikon edhe besimin e qytetarëve në institucionet vendore dhe në procesin e integrimit evropian.
“Nëse Kosova nuk përfiton nga ky Plan, ajo mbetet jashtë procesit të rritjes dhe konvergjencës me BE-në. Kjo do të çonte drejt izolimit ekonomik e institucional dhe në dobësim të besimit të qytetarëve ndaj institucioneve vendore dhe ndaj vetë BE-së,” përfundoi ai.