Xhelal Mziu në Burrel: 11 maji është dita e shpresës për Dibrën dhe gjithë Shqipërinë

Drejtuesi politik i qarkut të Dibrës, Xhelal Mziu, gjatë një takimi elektoral të mbajtur në qytetin e Burrelit me pjesëmarrjen e liderit të opozitës, Sali Berisha, u shpreh se data 11 maj përfaqëson një moment vendimtar për demokratët dhe të gjithë shqiptarët. Ai e cilësoi atë si ditën e shpresës dhe bashkimit për të rrëzuar një qeveri që sipas tij është “e korruptuar dhe e dështuar”.
Mziu falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe theksoi se kandidatura e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit është elitare, gjithëpërfshirëse dhe përfaqëson më të mirët e shoqërisë. Ai akuzoi qeverinë aktuale për braktisjen e qarkut të Dibrës, duke e kthyer atë në një ndër zonat më të varfra të vendit.
“Qeveria e ka braktisur Dibrën dhe Burrelin. Përballë kemi fytyrën e korrupsionit, një person me dosje të hapura për abuzime me pronat dhe fondet publike, i shpërblyer nga Edi Rama me poste të rëndësishme”, deklaroi Mziu, duke iu referuar kundërshtarit politik në Mat.
Ai shtoi se drejtësia do të veprojë dhe se qytetarët do të jenë dëshmitarë të ndëshkimit të përgjegjësve për korrupsionin. Në përfundim të fjalës, Mziu e falënderoi Sali Berishën për vizitën në Burrel dhe për mbështetjen ndaj demokratëve të qarkut të Dibrës.