Kosova

Xhaferi nga LDK kërkon konsensus: Të lihen anash inatet politike, të konstituohet Kuvendi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Krenar Xhaferi, ka bërë thirrje për zgjidhje politike dhe bashkëpunim ndërpartiak, në prag të një tjetër përpjekjeje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Para hyrjes në ndërtesën e Kuvendit për të marrë pjesë në seancën e radhës, Xhaferi u shpreh se partitë duhet të lënë anash inatet politike dhe të ecin përpara me procesin e konstituimit.

“Duhet të lihen anash inatet politike dhe të procedohet me konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Nuk është në dorën tonë të krijojmë situata të tjera”, deklaroi ai.

Ai rikujtoi qëndrimin e presidentes së vendit për karakterin antikushtetues të seancave të deritanishme. “Edhe presidentja e tha që këto seanca janë antikushtetuese, sepse po tentohet të imponohet rendi i ditës”, shtoi Xhaferi.

Duke folur për rolin e kryesuesit të seancave, Avni Dehari, Xhaferi e akuzoi atë për anshmëri. “Kryesuesi është i instrumentalizuar nga LVV,” u shpreh ai, duke e cilësuar këtë si pengesë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

LDK, sipas Xhaferit, mbetet e gatshme për të bashkëpunuar në funksion të stabilitetit institucional dhe zgjidhjes së ngërçit politik.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button