Rashit Qalaj: Vonesa në konstituimin e Kuvendit është e dëmshme dhe e qëllimshme nga VV-ja

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, ka kritikuar ashpër vonesat në konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke e cilësuar këtë situatë si të dëmshme dhe të qëllimshme nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje (VV).
Në një prononcim për mediat para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Qalaj tha se mungesa e institucioneve funksionale po i shkakton dëme të mëdha qytetarëve dhe vetë shtetit të Kosovës.
“Po, e kam dëgjuar presidenten. Nuk ka dhënë sqarime cilat janë pasojat juridike, por mendoj që pasoja më e madhe është për qytetarët e Kosovës, përtej asaj juridike, sepse Kosova është duke u dëmtuar mjaft shumë. E dini që Kosova është në humbje të disa fondeve nga BE-ja. Çdo shtyrje e konstituimit të Kuvendit është e dëmshme. Është e dëmshme dhe e qëllimshme,” deklaroi ai.
Qalaj kërkoi gjithashtu më shumë qartësi nga Gjykata Kushtetuese, duke theksuar se vendimi i fundit i këtij institucioni nuk ka ofruar sqarime të mjaftueshme për rrjedhën e ngërçit politik.
“Mendoj që Kushtetuesja duhet të sqarojë më mirë vendimin që ka marrë para disa ditësh,” përfundoi deputeti i PDK-së.