VV nuk lejon lexim të dytë për sot të ligjit për Specialen, kërkon votim për zgjedhje presidentit

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka refuzuar mocionin e PDK-së për përshpejtimin e procedurave për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Mocioni synonte që projektligji të kalonte në lexim të dytë të hënën, më 5 tetor, vetëm disa orë pas shqyrtimit të parë.
Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, kërkoi shmangie nga afatet e Rregullores së Kuvendit dhe propozoi një kalendar të ngjeshur për procedurën.
Amendamentet, sipas propozimit, do t’i dërgoheshin Komisionit për Legjislacion deri në 14:30, ndërsa Komisioni do ta shqyrtonte projektligjin deri në 15:30.
Raporti me rekomandime do t’i dërgohej Kuvendit deri në 17:00, ndërsa leximi i dytë do të mbahej gjysmë ore më vonë.
“Do të bëhet në seancën plenare sot, më 5 tetor 2026, në orën 17:30”, tha Tahiri për shqyrtimin e dytë.
Por Haxhiu e kundërshtoi këtë rrugë, duke e lidhur urgjencën politike me zgjedhjen e presidentit dhe jo me përshpejtimin procedural të projektligjit.
Ajo tha se me kryetarët e partive ishte diskutuar fillimisht një takim ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.
Sipas saj, vetëm pas këtij takimi do të duhej të vazhdohej me votimin e projektligjit në lexim të dytë.
“Vini dhe ndryshoni qëndrimin”, tha Haxhiu, duke kërkuar marrëveshje për presidentin.
Ajo u bëri thirrje drejtuesve partiakë të takohen dhe akuzoi PDK-në se po përdor situatën rreth protestuesve jashtë Kuvendit.
“Po ju kërkoj: me respektin më të madh, takohuni, nuk ka asnjë nevojë që të mos kemi takime ndërmjet kryetarëve të partive politike.”
Haxhiu kërkoi tërheqjen e mocionit dhe tha se UÇK-ja nuk mund të trajtohet si pronësi politike e një partie.
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Pro këtij ligji kanë votuar 91 deputetë.
Ky projektligj është mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca. Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka votuar.
Bedri Hamza i PDK-së kërkoi unitet të plotë ndër shqiptarë për këtë projektligj.
“Ushtarë të UÇK ka në të gjitha partitë politike. Edhe në LDK, edhe në AAK, edhe LVV, edhe në PDK”, tha Hamza.
“Prandaj, janë vlera përtej një subjekti politike. Ju lus me mirësjellje që të jemi unik në përfundimin e këtij proltesim-ndryshimi”, shtoi ai.
Kryeministri Albin Kurti, ndërkaq, tha se ndryshimet janë trajtuar me nxitim dhe kërkoi më shumë kohë për analizë.
Ai u thirr në kundërshtimin e Vetëvendosjes ndaj themelimit të Speciales, por konfirmoi se deputetët e saj do ta mbështesnin projektligjin në lexim të parë.
“Ne s’jemi të bindur se e keni mirë, por po ju mbështesim”, tha Kurti.
Sipas tij, beteja kryesore duhet të zhvillohet në fazën e apelit dhe me një qasje të organizuar nga shteti.
“Adresa e fitores është Apeli. E për fitore duhet strategji dhe organizim. Dhe organizimi duhet të jetë shtetërore”, tha ai.
Në anën tjetër, LDK-ja paralajmëroi se nuk i mbështeti ndryshimet, duke përmendur rreziqe politike dhe juridike.
“LDK nuk bëhet pjesë e kësja nisme dhe paralajmëron rreziqet e mundshme poltiike dhe juridike”, tha Jehona Lushaku-Sadriu.
Ajo shtoi se “Lufta e UÇKë-së është e shenjtë. Ruajtja e interesit shtetëror është çka LDK do t’i qëndrojë besnike gjithmonë.”
LDK-ja nuk e mbështeti as shmangien procedurale të kërkuar nga PDK-ja.



