VV e quan padrejtësi vendimin e Gjykatës Speciale: “Po zbehet qëllimshëm vijëndarja mes çlirimit dhe agresionit”

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër pas vendimit të sotëm të Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat rrëzuan mocionin e përbashkët të avokatëve të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për heqjen nga aktakuza të disa ngjarjeve që, sipas mbrojtjes, bien jashtë periudhës së konfliktit të armatosur.
Në një reagim zyrtar, Vetëvendosje thekson se vendimi i sotëm përbën “dëshmi të një logjike të përmbysur të drejtësisë”, ku sipas tyre, zbehet qëllimshëm vija ndarëse mes luftës për çlirim dhe agresionit.
“Katër nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli, kanë afër pesë vite në paraburgim. Ky model i drejtësisë selektive nuk bën drejtësi universale, por prodhon një narrativë të rreme, që e zhvendos fajësinë nga pushtuesi te i çliruari,” thuhet në reagim.
VV kujton se së shpejti bëhen dhjetë vjet nga themelimi i Gjykatës Speciale, të cilën kjo parti e kishte kundërshtuar që në fillim, duke e konsideruar si “instrument të imponuar mbi sovranitetin e Kosovës”.
Sipas partisë në pushtet, kjo gjykatë “i ka shërbyer paragjykimit, duke përjashtuar sistematikisht dhunën shtetërore serbe, që është burimi real i gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit në Kosovë”.
Në këtë kontekst, përmendet edhe rasti i Enver Dugollit, të mbijetuarit të masakrës së Burgut të Dubravës, i cili kishte kërkuar hetim për këtë krim nga Prokuroria Speciale në Hagë, por pa ndonjë veprim konkret deri më sot.
VV shpreh kritikë ndaj heshtjes së Qeverisë në detyrë përballë këtij procesi gjyqësor, dhe rikujton se përgjegjësinë për themelimin e Gjykatës e mbajnë deputetët dhe qeveritarët që votuan për të në vitin 2015.
“Ata duhet sot të kërkojnë falje – jo si akt formal, por si shenjë vetëdijeje për dëmin e madh institucional dhe moral që kjo gjykatë i ka shkaktuar vendit”, thotë VV.
Në përfundim, partia e Albin Kurtit thekson se mbetet e palëkundur në mbrojtjen e luftës çlirimtare, duke e quajtur atë “themeli i shtetit tonë”.
“Drejtësia nuk mund të jetë mjet për të rishkruar historinë, as për ta heshtur të vërtetën,” përmbyllet reagimi.