Vuçiq konfirmon praninë e tre rusëve në kampin luftarak pranë Loznicës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar se në kampin për stërvitje luftarake-taktike të shtetasve moldavianë dhe rumunë në perëndim të Serbisë kanë qenë të pranishëm tre shtetas të Federatës Ruse.
Deklaratën, Vuçiq e bëri më 15 tetor gjatë një konference për media në Beograd, së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Ai iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse ishte verifikuar pretendimi se shërbimet ruse qëndronin pas kampit luftarak pranë Loznicës.
“Nuk mund të them se ishte ndonjë shërbim rus, por kemi konstatuar praninë e tre shtetasve rusë në kampin Sunçana Reka, afër Loznicës. Kemi shoqëruar personat e kombësisë serbe që ishin të disponueshëm për ne. Ata na dhanë informacion për personat në fjalë dhe hetimi vazhdon”, tha Vuçiq.
Më 26 shtator, policia serbe arrestoi dy persona nën dyshimin se kishin organizuar trajnime luftarake-taktike për shtetas të Moldavisë dhe Rumanisë, me qëllim nxitjen e trazirave në Moldavi. Arrestimet pasuan paralajmërimet e autoriteteve moldave për ekzistencën e kampeve luftarake në Serbi, të cilat, sipas tyre, ishin organizuar nga një shërbim sekret rus për të destabilizuar vendin gjatë zgjedhjeve të fundit.
Moska i ka mohuar akuzat, ndërsa policia dhe prokuroria serbe në njoftimet e tyre nuk e kanë përmendur Rusinë.
Sipas policisë serbe, trajnimi u zhvillua nga 16 korriku deri më 12 shtator në një objekt afër Loznicës, ku morën pjesë midis 150 dhe 170 shtetas të Moldavisë dhe Rumanisë.
Ky nuk është rasti i parë kur Moldavia paralajmëron për ekzistencën e kampeve të dyshuara ruse në Ballkanin Perëndimor. Edhe para zgjedhjeve të vitit 2024, Kishinjevi raportoi për trajnime të ngjashme në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, të drejtuara nga persona të lidhur me grupe paramilitare ruse — megjithëse Beogradi nuk i ka konfirmuar këto raste.
Autoritetet moldave kanë informuar Bashkimin Evropian për zhvillimet e fundit.



