Vuçiq dhe Osmani takohen ndaras me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s në Kopenhagë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, gjatë Samitit të Komunitetit Politik Europian që po mbahet në Kopenhagë.
Vuçiq tha se me Rutte ka diskutuar për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe për, siç e cilësoi ai, “rrethanat komplekse” në të cilat jeton populli serb, veçanërisht në Kosovë.
“Një bisedë shumë e mirë dhe e hapur me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, mbi të gjitha çështjet e rëndësishme të kontekstit aktual të sigurisë dhe gjeopolitikës së Evropës dhe rajoneve të krizës ku vazhdojnë konfliktet. Diskutuam veçanërisht situatën në Ballkanin Perëndimor dhe rolin e Serbisë në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në rrethanat komplekse në të cilat jeton populli serb, veçanërisht në Kosovë”, tha ai.
Në Kopenhagë takim me Rutte zhvilloi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila theksoi gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me NATO-n në garantimin e sigurisë dhe paqes në vend dhe në gjithë rajonin.



