Vuçiç në Tiranë për Samitin e BE-së: “Përfaqësoj Serbinë si vend evropian i lirë dhe partner i përgjegjshëm”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas pjesëmarrjes në paradën ushtarake në Moskë, mbërriti në Tiranë ku u prit nga kryeministri Edi Rama në kuadër të Samitit të Bashkimit Europian.
Gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin shqiptar, Vuçiç shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë për një takim të mundshëm me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. I pyetur nga mediat, ai u mjaftua të thotë se “në Tiranë është bukur” dhe se ndodhet aty për të marrë pjesë në punimet e Samitit të BE-së.
Në deklaratën e tij për shtyp, Vuçiç theksoi se ndihej krenar që përfaqësonte Serbinë si një “vend evropian i lirë dhe një partner i përgjegjshëm për të gjithë ata që ndajnë vizionin e një Evrope paqësore, të sigurt dhe të begatë, si shtëpia jonë e përbashkët”.
Vizita e tij në Tiranë vjen në një klimë të tensionuar politike në rajon, por prania e liderëve ballkanikë në samitin europian shihet si një përpjekje për të thelluar dialogun dhe integrimin në familjen evropiane.