Vuçiç glorifikon sërish Mladiqin: Kërkon “varrim dinjitoz” për Kasapin e Ballkanit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar për vdekjen e kriminelit të luftës Ratko Mladiq, duke mbrojtur figurën e tij dhe duke kërkuar që ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Srpska të varroset në mënyrë “dinjitoze dhe të civilizuar”.
Vuçiç tha se Serbia do të ndihmojë familjen e Mladiqit nëse ajo vendos që ai të varroset në territorin e Serbisë, ndërsa përmendi edhe mundësinë që varrimi të bëhet në Beograd, pranë vajzës së tij.
“Ne nuk do të lejojmë që gjeneralit t’i mohohet një varrim dinjitoz”, deklaroi Vuçiç, duke kritikuar njëkohësisht ata që kanë dënuar Mladiqin pas vdekjes së tij.
Ai e cilësoi reagimin ndaj kriminelit të luftës si një “fushatë” që, sipas tij, nuk lidhet vetëm me Mladiqin, por me “të ardhmen dhe pasojat juridike”.
Në të njëjtën kohë, Vuçiç sulmoi ministrin në Qeverinë e Serbisë, Usame Zukorliç, për komentet e tij ndaj Mladiqit, duke thënë se ai duhet të sillet si ministër i Serbisë dhe jo vetëm i Novi Pazarit.
Ratko Mladiq u dënua me burgim të përjetshëm nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë rolin e tij në gjenocidin e Srebrenicës. /Vijesti



