Show biz

Vritet në mes të një transmetimi live influencuesja 23-vjeçare në Meksikë

Një ngjarje tragjike ka tronditur opinionin publik në Meksikë dhe më gjerë. Influencuesja 23-vjeçare, Valeria Marquez, është vrarë me armë zjarri teksa ishte në një transmetim të drejtpërdrejtë në rrjetin social TikTok. Ngjarja ndodhi në qytetin Guadalajara, në shtetin Jalisco.

Sipas autoriteteve lokale, një burrë hyri në sallonin e bukurisë ku ndodhej Marquez dhe hapi zjarr ndaj saj, duke e lënë të vdekur në vend. Prokuroria e shtetit njoftoi se rasti po hetohet si femicid, një formë e krimit të rëndë që ka prekur një numër të madh grash dhe vajzash në Meksikë. Ende nuk janë bërë publike motivet e sulmit.

Pamjet tronditëse të momentit fatal u transmetuan drejtpërdrejt në TikTok, ku Valeria shfaqej ulur në një tavolinë duke mbajtur një lodër pelushi në duar. Sekonda më pas, dëgjohen të shtënat dhe transmetimi ndërpritet kur një person tjetër merr telefonin dhe ndalon regjistrimin.

Mediat lokale raportojnë se autori i dyshuar kishte hyrë në sallon duke pretenduar se kishte sjellë një dhuratë për Valerian. Deri më tani, nuk është bërë publik emri i të dyshuarit, ndërsa hetimet po vazhdojnë intensivisht.

Valeria Marquez ishte një figurë e njohur në rrjetet sociale, me afro 200 mijë ndjekës në TikTok dhe Instagram. Fansat e saj kanë reaguar me tronditje dhe dhimbje për humbjen e saj të papritur dhe të dhunshme.

Kjo ngjarje e rëndë ka rikthyer në vëmendje nivelin alarmant të dhunës ndaj grave në Meksikë dhe ka nxitur thirrje për drejtësi dhe masa të reja për mbrojtjen e grave.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button