Vrasje në Shkodër/ Turistja amerikane 53-vjeçare theret me thikë në hotel nga bashkëshorti

Një ngjarje e rëndë ka tronditur këtë mëngjes qytetin e Shkodrës, ku një turiste amerikane ka humbur jetën si pasojë e një krimi të dyshuar brenda familjes. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:15, në një banesë të marrë me qira në rrugën “At Shtjefën Gjeçovi”, ku çifti amerikan po qëndronte gjatë vizitës së tyre në Shqipëri.
Viktima, identiteti i së cilës nuk është bërë ende publik për shkak të hetimeve, dyshohet se është goditur me mjet prerës nga bashkëshorti i saj, Brandon Saporito, 57 vjeç. Autori i dyshuar i krimit u gjet në vendin e ngjarjes dhe u transportua menjëherë në spital për ndihmë mjekësore, pasi kishte plagë në duar dhe dyshohet se ndodhej në gjendje të dehur në momentin e arrestimit.
Burime nga policia bëjnë me dije se pas aktit të rëndë, Saporito ka tentuar t’i japë fund jetës, por është shpëtuar në kohë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të krimit.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në opinionin publik dhe ka rikthyer në vëmendje problematikat që lidhen me dhunën në marrëdhëniet familjare dhe sigurinë e turistëve në vend.