Lajme

Vrasje në Prato të Italisë, humb jetën një 37-vjeçar shqiptar – arrestohen dy të rinj bashkëkombës

Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin shqiptar në Prato të Italisë, ku një 37-vjeçar shqiptar, Vladimir Lleshi, ka humbur jetën si pasojë e një konflikti ende të paqartë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 8 majit dhe është raportuar nga media italiane “La Nazione”.

Sipas burimeve policore, lidhur me këtë ngjarje janë arrestuar dy të rinj shqiptarë, përkatësisht 17 dhe 19 vjeç, të cilët dyshohen si autorët e vrasjes. Të rinjtë kanë deklaruar para hetuesve se ishin takuar me viktimën për shkak të disa mesazheve të dërguara një vajze.

Sipas dëshmisë së tyre, Vladimir Lleshi kishte ardhur në vendin e takimit i shoqëruar nga dy persona të tjerë, dhe më pas situata ka degraduar në një konflikt fizik. Të rinjtë pretendojnë se janë sulmuar nga 37-vjeçari dhe shokët e tij, ndërsa më pas kanë tentuar të largohen, por janë kthyer dhe e kanë goditur Lleshin me një kaçavidë. Një prej goditjeve dyshohet se e ka prekur në zemër.

Lleshi është transportuar me urgjencë në spital, por nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të plagëve të rënda. Autoritetet italiane kanë urdhëruar kryerjen e autopsisë për të sqaruar më tej rrethanat e vdekjes, ndërsa janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë pranë vendngjarjes për të hedhur dritë mbi dinamikën e plotë të krimit.

Hetimet vijojnë nën mbikëqyrjen e autoriteteve gjyqësore italiane, ndërsa rasti ka ngritur shqetësim në opinionin publik dhe komunitetin shqiptar në Itali.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button