Lajme

Vrasja e 14-vjeçarit pranë shkollës “Fan Noli”: Heshtje institucionale dhe mungesë përgjegjësie

Ngjarjet tronditëse në vendin tonë duket se nuk kanë fund. Por nën qeverisjen e Rilindjes, ato jo vetëm që nuk marrin fund, por marrin edhe përmasa gjithnjë e më skandaloze. Një prej tyre është tragjedia që ndodhi në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë, ku para disa muajsh u vra me thikë një nxënës vetëm 14 vjeç.

Martini Cani, një adoleshent në klasë të nëntë, humbi jetën më 22 nëntor 2024, vetëm pak metra larg shkollës. Konflikti që çoi në vrasjen e tij kishte nisur brenda mureve të institucionit arsimor – një vend që duhej ta siguronte dhe mbronte. Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë ngjarje është se një pjesë e stafit pedagogjik kishte dijeni për përplasjet mes nxënësve, por nuk ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.

Përkundër kësaj tragjedie, drejtoresha e shkollës, Merita Nanaj, vijon të mbajë të njëjtin pozicion, pa asnjë masë administrative apo pezullim. As ajo dhe as ndonjë anëtar i stafit nuk janë hetuar, nuk kanë dhënë dorëheqje dhe nuk kanë kërkuar ndjesë publike. Madje, drejtoresha nuk ka marrë mundimin as të ngushëllojë familjen e viktimës. E vetmja komunikatë e saj e fundit drejtuar stafit ishte një mesazh ku njoftonte kalimin e pagave.

Heshtja institucionale pas vrasjes së Martinit është një nga simptomat më të rënda të degradimit të sistemit arsimor. Indiferenca e autoriteteve, mungesa e ndjeshmërisë dhe propagandimi banal i “sukseseve” në arsim janë një fyerje për dhimbjen e familjes Cani dhe për çdo prind që pret siguri për fëmijët e tij në shkollë.

Ministrja e Arsimit, e njëjta që ishte në detyrë në momentin e vrasjes, jo vetëm që nuk dha dorëheqje, por sot garon në zgjedhjet e 11 majit me premtime për “arsim cilësor” dhe “shkolla të sigurta”. Ironia është e rëndë, por më e rëndë është mungesa e përgjegjësisë.

Tragjedi si ajo e Martinit nuk duhet të relativizohen, të harrohen apo të zëvendësohen nga debatet boshe në rrjete sociale. Një shtet që nuk reagon kur vritet një fëmijë, është një shtet që nuk i mbron dot fëmijët e tij. Më 11 maj, qytetarët duhet të mbajnë mend këtë realitet të hidhur – dhe të kërkojnë llogari.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button