Von der Leyen pritet në Prishtinë nga shefi i Zyrës së BE-së, Aivo Orav

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbërritur sot në Prishtinë, në kuadër të turneut të saj ballkanik. Ajo është pritur nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, i cili ka shprehur kënaqësinë për vizitën e zyrtares së lartë evropiane.
“I nderuar të pres sot në Kosovë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, para takimeve të saj me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti,” ka shkruar Orav në platformën X (ish-Twitter).
Gjatë qëndrimit të saj në kryeqytet, Von der Leyen është takuar edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Takimi është zhvilluar në ambientet e Kuvendit të Kosovës, pak orë pas mbërritjes së saj.
Vizita e presidentes së Komisionit Evropian vjen në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet Kosovë–BE, ndërsa pritet të diskutohet për procesin e integrimit evropian, dialogun me Serbinë dhe reformat e nevojshme në vend.



