Vlora Çitaku uron Ditën e Pavarësisë së SHBA: “Amerika është e mirë, sepse amerikanët janë të tillë”

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka uruar Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes një postimi emocional në rrjetet sociale, duke ndarë edhe një përvojë personale me ndjekësit e saj.
Çitaku ka theksuar se Amerika nuk është e madhe vetëm për fuqinë apo pasurinë që ka, por për mirësinë që e karakterizon popullin amerikan. Ajo kujtoi kohën kur kishte jetuar për shtatë vite në SHBA, duke thënë se e kishte ndjerë çdo ditë këtë mirësi.
“Amerika nuk është vetëm e madhe. As vetëm e fuqishme apo e pasur. Amerika është e mirë sepse amerikanët janë të tillë,” ka shkruar ajo.
Deputetja tregoi një episod të ndodhur së fundmi, ku nipërit e saj, Arbëri dhe Dielli, përshëndetën me respekt një grup ushtarësh amerikanë në një piceri. Njëri prej ushtarëve, nga Teksasi, i falënderoi djemtë duke u vizatuar një karikaturë si kujtim.
“Thank you – për mirësinë, për sakrificën, për shpresën që përçoni,” përfundoi Çitaku, duke shprehur edhe njëherë mirënjohjen ndaj SHBA-së në këtë ditë të veçantë për aleatin më të ngushtë të Kosovës.