Vlora Çitaku kritikon reagimet politike pas operacionit të FSK-së në Ujman

Forca e Sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim me KFOR-in, kanë ndërmarrë sot një operacion kërkimi në Liqenin e Ujmanit në veri të vendit, pas dyshimeve se një person ka kërcyer nga ura dhe nuk ka dalë më nga uji.
Ndërkohë që anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë reaguar publikisht duke lavdëruar përfshirjen e FSK-së në këtë operacion, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj tyre, duke i akuzuar për keqpërdorim të një tragjedie në funksion të propagandës politike.
“Jeni të neveritshëm. A keni fije përgjegjësie? A keni fare ndjeshmëri njerëzore? Si mund të abuzoni me vdekjen tragjike të një të riu për propagandë politike?”, ka shkruar Çitaku në një postim në Facebook.
Ajo theksoi se FSK nuk ka shkuar në veri për ndonjë qëllim ushtarak, por për të kërkuar trupin e një të riu që humbi jetën, “ashtu siç ka vepruar edhe më parë, me dinjitet dhe pa zhurmë”.
Duke kritikuar mënyrën e komunikimit dhe përdorimin e imazheve nga ana e Vetëvendosjes, Çitaku shtoi: “Po aq sa po i retushoni fotografitë për të ndërtuar një narrativë të rreme, po përpiqeni të retushoni edhe historinë. Por nuk do t’ia dilni. Marre ju qoftë.”
Operacioni i kërkimit vazhdon nën koordinimin e FSK-së dhe KFOR-it.