Vjosa Osmani udhëton në Shqipëri për Samitin Brdo-Brijuni në Durrës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar sot për në Shqipëri për të marrë pjesë në Samitin e liderëve të rajonit që po mbahet në Durrës, në kuadër të Iniciativës Brdo-Brijuni.
Samiti organizohet nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Natasha Pirc Musar dhe Zoran Milanoviq, ndërsa nikoqir i këtij takimi është presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Me temë “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”, ky samit i këtij viti do të fokusohet në perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, me theks të veçantë në Planin e Rritjes së Rajonit të propozuar nga Bashkimi Evropian.
Iniciativa Brdo-Brijuni ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit dhe mbështetjen e tyre në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.



