Vjosa Osmani takon kreun e Partisë Rome, vazhdon konsultimet për zgjidhjen e krizës në Kuvend

Kryetarja e Kosovës, Vjosa Osmani, vijon rundin e takimeve me partitë politike për zgjidhjen e krizës në Kuvend. Sot ajo priti në takim Albert Kinollin, kreun e Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës, si pjesë e konsultimeve me liderët e komuniteteve joshumicë.
Këto takime po zhvillohen pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese mbi situatën në Kuvend, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për konstituimin e tij. Dje, Osmani u takua me kryetarët e partive shqiptare më të mëdha – Albin Kurti (VV), Memli Krasniqi (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK) – ku u diskutuan qëndrimet për procesin dhe interpretimet e aktgjykimit.
Presidenca apeloi për bashkëpunim dhe mirëbesim mes partive, duke theksuar nevojën për një marrëveshje brenda 30 ditëve, afat ky i vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Megjithatë, edhe sot seanca për konstituimin e Kuvendit dështoi për të 41-ën herë me të njëjtin skenar, duke vazhduar kështu krizën politike në vend.