Vjosa Osmani konfirmon: Kompakti i MCC për Kosovën do të vazhdojë, SHBA-ja mbështet zhvillimin ekonomik dhe energjetik

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, e ka informuar zyrtarisht se Kompakti i Millenium Challenge Corporation (MCC) për Kosovën do të vazhdojë. Ky lajm vjen pas takimeve të Osmani-së në Washington D.C., ku është diskutuar rëndësia e këtij programi për zhvillimin ekonomik dhe sektorin e energjisë në vend.
“Pas takimeve të shkëlqyeshme në Washington D.C., jam informuar edhe zyrtarisht nga Zv. Sekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, se Administrata Trump ka miratuar vazhdimin e këtij programi për Kosovën — një program me ndikim transformues për sektorin e energjisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë,” tha Osmani.
Presidentja shprehu mirënjohjen e thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme në këtë projekt kyç për ekonominë e Kosovës.
Kompakti i MCC pritet të sjellë përmirësime të mëdha në infrastrukturën energjetike, duke kontribuar në stabilizimin dhe rritjen e sektorit, që është jetik për zhvillimin ekonomik të vendit.