Vjedhje në selinë e PD në Cërrik – Merren kompjuteri dhe televizioni, autorët ende të paidentifikuar

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e kaluar në qytetin e Cërrikut, ku është vjedhur selia e Partisë Demokratike. Lajmi konfirmohet nga gazetari i Syri TV, i cili raporton se nga zyrat janë marrë një kompjuter dhe një televizor.
Burime pranë selisë bëjnë me dije se autorët e ngjarjes mbeten ende të paidentifikuar, ndërkohë që policia nuk ka dhënë ende një njoftim zyrtar mbi hetimet apo pistat ku po fokusohet.
Ngjarja ndodh vetëm një ditë pas një takimi madhështor të zhvilluar nga kreu demokrat Sali Berisha, i cili prezantoi kandidatët e opozitës për bashkitë Belsh dhe Cërrik, duke i dhënë kështu një rëndësi të veçantë këtij qarku në kuadër të fushatës elektorale.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje për motivet e mundshme dhe a ka lidhje kjo vjedhje me zhvillimet politike në terren. Hetimet pritet të zbardhin më shumë detaje në vijim.