Lajme

Vijon hakmarrja mes grupeve kriminale shqiptare: Vritet vjehrri i Roan Brahimit në Tiranë, katër të rinj qëllohen më pas në Shkozë

Pas vrasjes së bujshme të 32-vjeçarit Roan Brahimi më 9 maj 2024 në Athinë, duket se ngjarjet tragjike për familjen e tij nuk kanë të ndalur. Mbrëmjen e së enjtes, vjehrri i tij, babai i Roanit, u qëllua për vdekje në Tiranë, në atë që dyshohet të jetë një tjetër episod i zinxhirit të hakmarrjeve mes grupeve kriminale shqiptare.

Pak orë pas kësaj ngjarjeje, një tjetër sulm me armë zjarri ndodhi në zonën e Shkozës, ku një automjet tip “Mercedes-Benz G-Class” në të cilin udhëtonin katër të rinj, dy prej tyre të mitur, u qëllua me breshëri plumbash. Fatmirësisht, të rinjtë mbijetuan. Hetimet paraprake tregojnë se automjeti i përdorur prej tyre ishte i njëjtë me atë që përdor bashkëshortja e Roanit, Katerina Beqo, duke shtuar dyshimet se objektivi i atentatit mund të ketë qenë ajo.

Kujtojmë se ngjarja tronditëse në Athinë ndodhi në rrugën “Bajron”, ku Brahimi u ekzekutua me armë zjarri teksa ndodhej në makinë me bashkëshorten dhe djalin e vogël. Sipas dëshmisë së Katerina Beqos, dy persona me veshje të errëta iu afruan makinës me motoçikletë dhe qëlluan në drejtim të bashkëshortit, duke e lënë të vdekur në vend. Ajo dhe djali shpëtuan pa lëndime serioze.

Beqo, e shokuar nga ngjarja, tregoi për hetuesit grekë se nuk kishte dijeni për ardhjen e bashkëshortit në Greqi, pasi ai kishte vendosur ta surprizonte për festat e Pashkëve Ortodokse. “Nuk dija gjë, nuk më kishte thënë që do të vinte. Erdhi të shtunën e Pashkës. Isha në makinë me të, por nuk mbaj mend çfarë ndodhi. Më pas dola nga makina”, rrëfeu ajo.

Fëmija i çiftit, i cili ishte dëshmitar i krimit, aktualisht ndodhet nën kujdesin e gjyshes, ndërsa Beqo, në gjendje të rënduar emocionale, po qëndron në shtëpi.

Autoritetet greke dhe shqiptare po hetojnë të gjitha pistat, ndërsa pista kryesore mbetet larja e hesapeve mes grupeve rivale të krimit të organizuar me origjinë shqiptare.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button