Vijojnë kërkimet për Ardit Beshirin, në ndihmë vijnë edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës

Kërkimet për gjetjen e 29-vjeçarit Ardit Beshiri vijojnë pa ndërprerje që prej datës 3 maj, kur i riu u zhduk bashkë me mjetin e tij eskavator, teksa po punonte në një stog minerali në zonën e njohur si Qaf Burrel, në Klos.
Prej disa ditësh, grupeve të kërkim-shpëtimit u janë bashkuar edhe forca nga Forcat e Sigurisë së Kosovës, të cilat kanë mbërritur këtë të mërkurë në vendin ku po zhvillohen operacionet intensive të kërkimit.
Pavarësisht përpjekjeve të pandërprera, deri më tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e 29-vjeçarit. Të vetmet mbetje të identifikuara janë pjesë të mjetit eskavator me të cilin ai po punonte në momentin që u përfshi nga një rrjedhë e fuqishme uji dhe inertesh, si pasojë e çarjes së një prej rezervuarëve të filtrimit të ujit në zonë.
Kërkimet po zhvillohen me mjete të rënda dhe mjete me krah nga ana e ushtrisë, ndërsa janë vënë në përdorim edhe aparatura të specializuara për detektimin e trupave nën tokë.
Autoritetet lokale dhe strukturat mbështetëse vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë, ndërsa familjarët dhe banorët e zonës shpresojnë për një zhvillim pozitiv.