Vijojnë denoncimet për manipulim të votave në Elbasan – PS nën akuzë për “riciklim” votash, përmendet emri i Suel Çelës

Një tjetër denoncim i ri tronditës është bëre publik lidhur me manipulimin e rezultatit zgjedhor në qarkun e Elbasanit, ku nga Partia Socialiste kandidon në listë të hapur Sara Mila, e cila dyshohet se mbështetet nga i shumëpërfoluri Suel Çela, kreu i bandës së njohur të Elbasanit.
Sipas denoncimit, në KZAZ-në përkatëse po përdoret një skemë kriminale për të rritur artificialisht numrin e votave të Partisë Socialiste, përmes “riciklimit” të votave të kandidatëve drejt subjektit politik. Kjo manovër synon të fryjë votat e PS-së në mënyrë që të shmanget hetimi nga SPAK dhe të fshihet ndikimi real i votave të kandidaturës së Sara Milës.
Burimet saktësojnë se rreth 30 mijë vota, të siguruara përmes ndikimit të Suel Çelës në favor të Milës, janë “shpërndarë” në mënyrë të qëllimshme te kandidatët e tjerë të PS-së për të krijuar idenë e një gare të balancuar.
Megjithatë, të dhënat e projeksioneve të votave bazuar në tabelat e kutive të votimit flasin ndryshe. Sipas tyre, Sara Mila ka marrë rreth 18 mijë vota, ndërsa ka një diferencë të pajustifikueshme prej më shumë se 12 mijë votash, në një kontekst pjesëmarrjeje të ulët.
Aktualisht, votat preferenciale për të gjithë kandidatët e tjerë të PS-së janë 49,463, ndërkohë që subjekti politik PS ka përfituar afro 80,000 vota. Me një mesatare të thjeshtë, kjo shifër është e pamundur të arrihet pa manipulim të dhënash. Kjo mospërputhje flagrante midis votave për subjektin dhe shumës së votave për kandidatët ngre pikëpyetje serioze mbi integritetin e procesit.
Denoncimi shton se komisionerët që nuk pranojnë të zbatojnë planin e riciklimit të votave po kërcënohen me largim nga qendrat e numërimit, çka përbën një tjetër shkelje të rëndë të ligjit.
Kërkohet ndërhyrje e menjëhershme e KQZ dhe SPAK
Në këtë kontekst, i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe autoriteteve ligjzbatuese të nisin një verifikim të plotë të këtij denoncimi. Kërkohet hapja e kamerave të sigurisë në të gjitha ambientet ku janë depozituar kutitë e votimit dhe materialet zgjedhore, veçanërisht në tavolinat ku kryhet hedhja e të dhënave në sistem.
Gjithashtu, sugjerohet një auditim i menjëhershëm i kutive, ku diferenca mes votave të subjektit dhe shumës së votave për kandidatët e të njëjtit subjekt tejkalon 5%. Auditimi duhet të kryhet në prani të vëzhguesve ndër-partiakë dhe prokurorëve të çështjes.
Nëse ky skandal verifikohet, do të përbënte një krim të rëndë elektoral, dhe autorët – përfshirë komisionerët që kanë urdhëruar apo pranuar ndryshimet në procesverbalet origjinale – duhet të ndiqen penalisht.
Skandali i Elbasanit rrezikon të minojë besimin publik në zgjedhje dhe integritetin e demokracisë në vend. Autoritetet duhet të reagojnë menjëherë.