Veturë digjet në Zveçan, dyshohet për instalim të rrymës

Një veturë është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të sotëm në Zveçan.
Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti është raportuar rreth orës 01:00 të 22 gushtit 2028. Pas marrjes së informacionit, njësitë policore dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për shuarjen e zjarrit.
Në vendin e ngjarjes kanë qenë të pranishëm edhe ekspertët e zjarrit, të cilët kanë kryer ekzaminimet fillestare.
“Sipas dëshmive dhe të dhënave fillestare, dyshohet se vetura është përfshirë nga zjarri si pasojë e instalimit të rrymës. Hetimet rreth rastit janë duke vazhduar me qëllim të ndriçimit të plotë të shkaqeve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Fatmirësisht, nga ky incident nuk është raportuar për persona të lënduar.