Veton Berisha: Jam gati ta votoj cilindo kandidat, por vetëm në formë të hapur – kërkon veprim nga Gjykata Kushtetuese

Deputeti i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka folur sot nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, pas dështimit për të 50-tën herë të seancës konstituive. Ai qëndroi në sallë bashkë me deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së dhe e quajti situatën një dëm të madh për vendin dhe qytetarët.
Berisha u shpreh i gatshëm ta mbështesë cilindo kandidat për kryetar të Kuvendit, por vetëm në formë të hapur, duke refuzuar çdo veprim që sipas tij bie ndesh me Kushtetutën.
“Unë e kam deklaruar votën time. Kam përgjegjësi për atë që them dhe i qëndroj mbrapa gjithë asaj. Jam i gatshëm ta votoj secilin kandidat për kryetar të Kuvendit, por në formën e hapur. Nuk pranoj veprime antikushtetuese”, tha ai.
Deputeti u bëri thirrje institucioneve, e veçanërisht Gjykatës Kushtetuese, që të ndërhyjnë me urgjencë për ta zhbllokuar krizën aktuale.
“Gjykata Kushtetuese duhet ta përshpejtojë procesin dhe ta qartësojë situatën tonë politike”, theksoi ai.
Në fund, Berisha i kërkoi falje komunitetit egjiptian për mosrealizimin e premtimeve që kishte dhënë, duke fajësuar bllokadën politike për mungesën e veprimit.
“Kam premtuar shumë. Kam thënë që do të fillojë ndryshimin që në ditën e parë, por kjo nuk më mundësohet. Nuk më jepet mundësia sepse këtu dikush ka vendosur që ta çojë procesin në bllokadë në pafundësi”, përfundoi ai.