Vetëvendosje paralajmëron konferencë për media para vazhdimit të seancës konstitutive

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se do të mbajë një konferencë për media të premten në orën 10:30, gjysmë ore para nisjes së vazhdimit të 45-të të seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës.
Konferenca do të mbahet në hollin pranë Sallës së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, por nuk janë bërë të ditura arsyet apo temat që do të trajtohen në të.
Kjo lëvizje vjen në një kohë të tensionuar politike, ku tash e tre muaj Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet, për shkak të mungesës së shumicës parlamentare dhe përplasjeve për mënyrën e votimit të kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Vetëvendosje po insiston në një votim të fshehtë, pasi kandidatja e saj, Albulena Haxhiu, nuk arriti të sigurojë 61 votat e nevojshme në votimin e hapur. Por partitë e tjera parlamentare e kundërshtojnë këtë qasje, duke e cilësuar të papranueshme.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, seanca konstituive e legjislaturës së nëntë duhet të përfundojë brenda 30 ditëve nga mbledhja e parë, ndërsa afati përfundimtar është 22 korriku.