Kosova

Veteranët e UÇK-së mohojnë lidhjen me personin e arrestuar në Serbi: “Nuk figuron në asnjë listë zyrtare”

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka mohuar kategorikisht se personi i arrestuar së fundmi në Serbi ka qenë pjesë e UÇK-së apo i njohur nga strukturat e saj.

Në një prononcim për RTK-në, Syla tha se i arrestuari nuk figuron në asnjë nga listat zyrtare të veteranëve të luftës dhe nuk njihet nga asnjë ish-ushtar në zonën ku pretendohet se ka vepruar. “Nuk figuron në asnjë nga listat, por as nuk njihet nga asnjë ish-ushtar në zonën ku pretendohet se ka qenë në luftë”, u shpreh Syla.

Reagimi i tij vjen pas raportimeve të mediave serbe, të cilat njoftuan të martën për arrestimin e një të ashtuquajturi ish-ushtar të UÇK-së, të identifikuar me inicialet L.H., në qytetin Svilajnac të Serbisë. I arrestuari, 59-vjeçar nga Peja, dyshohet për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të pretenduara se janë kryer gjatë luftës në Kosovë.

Sipas mediave serbe, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh nga Zyra e Prokurorit për Krime të Luftës në Serbi. Autoritetet atje pretendojnë se arrestimi u bë mbi bazën e dyshimeve për përfshirje në krime gjatë luftës.

Organizata e Veteranëve e ka quajtur të pabazë këtë pretendim, duke theksuar se emri i tij nuk është pjesë e strukturave të njohura të UÇK-së. Arrestimi i këtij personi ka ngritur sërish shqetësime mbi motivet politike pas veprimeve të autoriteteve serbe kundër qytetarëve të Kosovës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button