Vendim i Gjykatës në Prishtinë për ngjarjen në Kolovicë: Doda dënohet me 7 vjet e 10 muaj, Sijarina me 9 muaj

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Fitim Dodës dhe Arijan Sijarinës, lidhur me rastin e tentim vrasjes që ndodhi më 26 mars 2024 në lagjen Kolovicë në Prishtinë.
Sipas vendimit të shpallur të enjten nga gjykatësi Gent Beka, i akuzuari Fitim Doda u dënua me një dënim unik prej 7 vjet e 10 muaj burgim, për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve”. Ndërsa Arijan Sijarina u dënua me 9 muaj burgim për “Moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre”.
Në rastin e Dodës, në dënim llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 24 prilli 2024, ndërsa masa e paraburgimit ndaj tij është vazhduar deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit. Gjykata ka marrë parasysh edhe të kaluarën kriminale të tij, pasi ndaj Dodës rëndojnë gjashtë aktgjykime të formës së prerë me dënim me gjobë.
Ndërkohë, për Arijan Sijarinën u llogarit koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga 2 maji 2024 deri më 29 janar 2025.
Të dy të akuzuarit u obliguan të paguajnë shpenzimet e procedurës penale – nga 150 euro për paushallin gjyqësor dhe nga 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.
Ngjarja e 26 marsit
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 26 mars 2024 rreth orës 13:50, Fitim Doda, për shkak të një mosmarrëveshjeje paraprake, nga brendia e veturës që po drejtonte vetë në rrugën “Haxhi Zeka”, shtiu me armë automatike AK-47 në drejtim të veturës së dëmtuarit Naim Berisha, duke e lënduar lehtë këtë të fundit.
Ndërkohë, Sijarina, i cili ndodhej si pasagjer në veturën e Dodës, akuzohej se nuk e kishte raportuar ngjarjen dhe as kryerësin e saj për një periudhë prej gati një muaji.
Pasojat tragjike të mbrëmjes
Po të njëjtën mbrëmje, më 26 mars 2024, ndodhën dy vrasje të tjera për të cilat dyshohen Naim dhe Ahmet Berisha, të cilët ishin shpallur në kërkim nga Policia. Ata dyshohet se kanë vrarë E.H., pronar i veturës që po përdorej nga Doda në momentin e sulmit, dhe Z.G., një grua 48-vjeçare e cila nuk ishte e përfshirë në konflikt, por ndodhej në një veturë afër shtëpisë së saj. Ajo ndërroi jetë një ditë më pas në QKUK për shkak të plagëve të marra.
Rasti mbetet një nga ngjarjet më të rënda kriminale të vitit 2024, ku brenda pak orësh ndodhën tri sulme me armë zjarri dhe dy humbje jete. /Betimi për Drejtësi