Kosova

Vëllai i Shefit të Kabinetit të Kurtit hyn fuqishëm në tregun e energjisë – MDA Energy nënshkruan marrëveshje me KOSTT-in dhe KEDS-in

Vetëm dy javë pas licencimit zyrtar, kompania MDA Energy, e themeluar nga Leondrit Dalipi – vëllai i Luan Dalipit, shef i kabinetit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti – ka bërë hyrje të fuqishme në tregun e energjisë në Kosovë.

Kompania ka arritur të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me KOSTT-in dhe KEDS-in, dy prej institucioneve më të rëndësishme të sistemit energjetik në vend. Kjo i hap rrugë MDA Energy që të furnizojë konsumatorët me energji elektrike, duke u bërë një aktor i ri në tregun e liberalizuar.

Në një njoftim zyrtar të publikuar në Facebook, MDA Energy ka premtuar se do të ofrojë çmime konkurruese, si dhe energji të qëndrueshme dhe të sigurt për konsumatorët.

“Ky është një kapërcim gjigant drejt një tregu më efikas dhe më të hapur,” thuhet në njoftimin e kompanisë, që e ka cilësuar këtë zhvillim si një hap historik në rrugëtimin e saj.

Në faqen zyrtare të MDA Energy është publikuar edhe një biografi e Leondrit Dalipit, i cili është prezantuar si Udhëheqës i Projekteve për Gjenerimin e Energjisë së Ripërtërishme dhe Specialist i Tregtimit të Energjisë në kompani.

Lidhjet familjare të themeluesit me zyrtarët më të lartë të qeverisë ngjallin interes për mënyrën se si është zhvilluar procesi i licencimit dhe bashkëpunimit të shpejtë me institucionet kyçe të sektorit energjetik në vend.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button