Kosova

Vazhdon paraburgimi për Hashim Thaçin dhe bashkë të akuzuarit në Hagë – Gjykata sheh rrezik për pengim të drejtësisë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut, të cilët së bashku me Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Në vendimet e ndara, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marijorie Masselot, ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar se katër të akuzuarit kanë kryer krime që bien në juridiksionin e DhSK-së.

Sipas vendimeve të datës 3 tetor 2025, gjykata ka vlerësuar se ekziston rrezik që të akuzuarit t’i ikin drejtësisë, të pengojnë procedurat ose të kryejnë krime të tjera.

Në rastin e Thaçit, gjyqtarja ka theksuar se ai dyshohet se ka pasur rol udhëheqës në tri grupe të ndryshme me të cilat ka bashkërenduar përpjekjet për të ndikuar në dëshmitarët e Prokurorisë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Veprimet e tij tregojnë këmbëngulje në përpjekjet për pengimin e procedurave të DhSK-së edhe nga brenda Qendrës së Paraburgimit, përfshirë përdorimin e ndikimit të tij mbi ish-anëtarë të UÇK-së dhe rrethe politike besnike ndaj tij”, thuhet ndër të tjera në vendimin gjyqësor.

Më tej, gjyqtarja ka vlerësuar se edhe pse rasti për krime lufte ndaj Thaçit ka përfunduar në fazën e Prokurorisë, kjo nuk e zbut rrezikun e pengimit të procedurave, sidomos duke pasur parasysh aktakuzën e re për administrimin e drejtësisë.

Ngjashëm, për tre të akuzuarit e tjerë – Smakaj, Kilaj dhe Fazliu – është theksuar se asnjë masë alternative nuk do të mund të zbusë rreziqet ekzistuese. Dorëzania prej 40 mijë eurosh e ofruar nga Kilaj është refuzuar, pasi mbrojtja nuk arriti të argumentojë se kjo shumë do të garantonte mosarratisjen e tij.

Në anën tjetër, mbrojtja e Hajredin Kuçit ka bërë të ditur se në fillim të vitit 2026 është e gatshme për fillimin e gjykimit në këtë çështje.

Hashim Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ku po gjykohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Vitin e kaluar ndaj tij u ngrit edhe aktakuza për pengim të drejtësisë.

Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në Hagë më 6 dhjetor, pas konfirmimit të aktakuzës dhe lëshimit të fletarrestimeve. Ndërsa Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në qendrën e paraburgimit më 5 dhjetor 2024, e Kuçit më 9 dhjetor iu dorëzua aktakuza dhe u paraqit para gjykatëses për herë të parë.

Sipas aktakuzës, Thaçi dyshohet se ka udhëhequr dhe marrë pjesë në përpjekje për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre, përmes tri grupeve – Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj – të cilët janë koordinuar për të ndikuar në dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar gjatë disa vizitave në vitin 2023.

Për pasojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj gjykatës. Ndërsa bashkë të akuzuarit Kilaj, Smakaj dhe Fazliu përballen me akuza për tentativë pengimi dhe mosbindje ndaj gjykatës, kurse Kuçi akuzohet për dy raste të mosbindjes ndaj gjykatës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button