Kosova

PDK refuzon mbështetjen për kandidatë që kanë qenë ministra: Vlora Çitaku konfirmon qëndrimin para seancës konstituive

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka përsëritur vendosmërinë e partisë për të mos mbështetur asnjë kandidat për kryetar të Kuvendit që më herët ka ushtruar funksionin e ministrit. Deklarata e saj vjen pak para mbajtjes së seancës së 50-të konstituive të Kuvendit të Kosovës.

“PDK e ka bërë të qartë qëndrimin e saj rreth konstituimit të Kuvendit. Nuk e votojmë asnjë kandidat i cili ka ushtruar funksionin e ministrit. Kemi ofruar kompromis ndonëse nuk na është kërkuar, për hir të zhbllokimit të situatës,” tha Çitaku.

Ajo gjithashtu komentoi takimet e fundit mes liderëve politikë, duke përfshirë edhe atë të së shtunës, duke theksuar se do të kishin qenë të dobishme vetëm nëse do të prodhonin rezultate konkrete.

“Takimet mes liderëve, përfshirë edhe atë të së shtunës, do të ishin të dobishme sikur të kishin sjellë rezultate,” u shpreh ajo, duke theksuar sërish pozicionin e palëkundur të PDK-së: “PDK e ka bërë të qartë kë nuk e voton.”

Kjo deklaratë e Çitakut nënvizon vazhdimin e ngërçit institucional dhe thekson rolin që PDK synon të luajë në procesin e konstituimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button