Kosova

Vazhdon gjykimi për rastin “Banjska”: Dëshmitari tregon për rolin e Milan Radoiçiqit si organizator të sulmit

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka vazhduar sot seanca gjyqësore në rastin e njohur si “Banjska”, ku të akuzuar janë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Në seancën e së martës dëshmoi Rade Nedelkoviq, roje në hotelin “Rashka Banja” dhe banor i fshatit Banjskë, i cili deklaroi se Milan Radoiçiq ka qenë organizatori i sulmit të armatosur në veri të Kosovës më 24 shtator 2023.

“Po, ai vetë e ka pranuar, çfarëdo që mendoj unë, ai vetë e ka marrë përgjegjësinë”, tha dëshmitari Nedelkoviq para trupit gjykues, duke iu referuar një deklarate të Radoiçiqit.

Ai tregoi se atë mëngjes kishte parë persona të armatosur me uniforma pranë hotelit ku punon si roje dhe i kishte paralajmëruar që të largoheshin nga tarraca, por kishte qenë i detyruar t’i linte të futeshin, pasi kishin qenë të armatosur.

Ndër të tjera, ai tha se njëri prej personave të plagosur ishte strehuar në hotel pas një telefonate që kishte marrë nga shefi i tij, Ivan Filimonoviq. “Nuk është që më ka urdhëruar, por më ka thënë që t’ia jap dhomën numër 6,” deklaroi dëshmitari.

I pyetur nga prokurori Naim Abazi, Nedelkoviq tha se nuk e di se çfarë ka ndodhur më pas me të plagosurin, pasi ai të nesërmen ishte kthyer në shtëpi. Ai gjithashtu tregoi se disa nga pjesëmarrësit në sulm ishin nisur në këmbë drejt manastirit të Banjskës.

Gjatë dëshmisë, Nedelkoviq theksoi se nuk ka njohuri të drejtpërdrejtë për pjesëmarrësit e tjerë në sulm, pasi shumica prej tyre kanë qenë me maska. Megjithatë, përmendi një emër të mundshëm – Vlastimir Andriq – por pa konfirmim të qartë.

Dëshmitari u pyet gjithashtu për një emër të përmendur më herët, “Sliviq”, por tha se nuk e njihte. Në lidhje me djalin e tij, ai deklaroi: “Nuk e di a ka marrë pjesë, pasi ka qenë atje me siguri po.”

Për Milan Radoiçiqin, Nedelkoviq tha se nuk e njeh personalisht, por ka dëgjuar për të dhe mendon se ndoshta një herë ka qenë në hotel. “Ai edhe nëse vinte, vinte pak si më ndryshe”, shtoi ai.

Në përmbyllje të dëshmisë, Nedelkoviq tha se ka qenë i shqetësuar për familjen e tij, por jo shumë i frikësuar për jetën e vet. “Unë nuk jam frikuar shumë nga këto gjuajtje, sepse një herë vdes njeriu,” përfundoi ai.

Gjykimi për rastin “Banjska” do të vazhdojë me dëshmitarë të tjerë dhe shqyrtimin e provave në ditët në vijim.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button