Valë të nxehti sot, mot i freskët dhe reshje nga e mërkura

Vendi pritet të përjetojë një ndryshim të ndjeshëm të kushteve meteorologjike gjatë kësaj jave. Dita e martë do të sjellë mot të nxehtë e kryesisht me diell, me temperatura që do të arrijnë deri në 31°C deri 33°C, ndërsa minimalet do të sillen nga 16°C deri në 19°C. Pasdite do të kalojnë vranësira të larta, dhe në disa zona, sidomos në vise malore, mund të zhvillohen rrebeshe lokale shiu. Era do të fryjë nga drejtimi jugperëndimor, mesatarisht e fuqishme me shpejtësi 8 deri 15 m/s, dhe lokalisht me hove që mund të kalojnë 20 m/s.
Mirëpo, të mërkurën, pritet të ndodhë një kthesë e fortë në mot, kur masa ajrore më të freskëta do të depërtojnë mbi rajon, duke sjellë reshje shiu dhe një rënie të theksuar të temperaturave. Maksimalet do të zbresin ndjeshëm në 21°C deri 22°C, ndërsa minimalet, në ditët pasuese, do të ulen deri në 8°C deri në 10°C. Në këtë ditë, erërat do të ndërrojnë drejtim, duke fryrë nga krahu verior, me hove deri në 17 m/s.
E enjtja sjell ende vranësira kalimtare, por pa reshje të pritshme. Nga e premtja, moti stabilizohet sërish, duke sjellë kthim të diellit dhe një ngrohje graduale. Temperaturat maksimale do të lëvizin ndërmjet 25°C dhe 29°C, ndërsa era do të fryjë e lehtë dhe mesatare, me shpejtësi 3 deri 9 m/s.
Këto luhatje të ndjeshme të motit kërkojnë kujdes të shtuar, sidomos për personat me ndjeshmëri ndaj temperaturave apo ndryshimeve të shpejta klimatike.