Lajme

Valë ekstreme e të nxehtit godet Evropën Jugore, rrezik i lartë për zjarre masive

Evropa Jugore po përballet me një valë ekstreme të nxehti, me temperatura që arrijnë deri në 44°C, ndërsa shkencëtarët paralajmërojnë për një kombinim të rrezikshëm kushtesh klimatike, të cilin e kanë cilësuar si një “koktej Molotov” që po nxit përhapjen e zjarreve masive në rajonin e Mesdheut.

Në Francë, Météo-France ka vendosur mbi gjysmën e territorit në alarm për të nxehtin, ndërsa të dielën u vu nën kontroll zjarri më i madh që nga viti 1949. Autoritetet konfirmuan vdekjen e një personi dhe plagosjen e 25 të tjerëve, përfshirë zjarrfikës dhe civilë.

Edhe në Spanjë, autoritetet kanë lëshuar alarme të verdha dhe portokalli për pjesën më të madhe të vendit, me paralajmërime për “rrezik ekstrem” nga temperaturat mbi 40°C që pritet të zgjasin disa ditë.

Sipas Cristina Santin Nuno, shkencëtare për zjarret në Këshillin Kombëtar të Kërkimeve Shkencore të Spanjës, pranvera e lagësht ka nxitur rritjen e bimësisë, e cila tani është tharë nga i nxehti, erërat e forta dhe mungesa e reshjeve, duke krijuar kushtet ideale për përhapjen e flakëve.

Meteorologët paralajmërojnë se të hënën dhe të martën mund të thyhen rekorde temperaturash, veçanërisht në jugperëndim të Francës, ku ato pritet të kalojnë 42°C. Sipas tyre, planeti është ngrohur me rreth 1.4°C për shkak të ndotjes nga karburantet fosile, duke e bërë gjithnjë e më të zakonshme përballjen me fenomene ekstreme të tilla.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button