UNMIK i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të sjellin para drejtësisë autorët e sulmit në Banjskë

Misioni i Përkohshëm Administrativ i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) u ka bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë dhe Beograd që të marrin masa të menjëhershme për të procesuar dhe ndëshkuar personat përgjegjës për sulmin e armatosur në fshatin Banjskë, në shtator të vitit 2023.
Thirrja u bë nga zëvendësshefi i misionit dhe ushtruesi i detyrës së përfaqësuesit special të OKB-së, Milbert Dongjoon Shin, gjatë prezantimit të raportit të fundit të UNMIK-ut para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më 21 tetor.
“Kanë kaluar dy vite nga incidenti i sigurisë në Banjskë. U bëjmë thirrje institucioneve përkatëse në Beograd dhe Prishtinë që të çojnë para drejtësisë autorët e këtij sulmi,” tha Shin.
Në shtator të vitit 2023, një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, duke vrarë një zyrtar policor. Pavarësisht se ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, publikisht ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit, Beogradi ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj tij, ndërsa shumica e të dyshuarve ndodhen ende në arrati.
UNMIK paralajmëron se mosndëshkimi i pjesëmarrësve në sulmin e Banjskës përbën kërcënim serioz për stabilitetin rajonal dhe sundimin e ligjit, duke kërkuar nga autoritetet e të dyja palëve veprime konkrete dhe transparente për hetimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve.
Në raportin e UNMIK-ut theksohet se, përveç dialogut në Bruksel dhe zgjedhjeve lokale në Kosovë, mungesa e drejtësisë për ngjarjen në Banjskë mbetet pengesë kryesore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Këshillin e Sigurimit, Stavros Lambrinidis, bëri thirrje që Serbia të ndërmarrë masa të qarta për të ndëshkuar autorët e sulmit dhe të ndihmojë në uljen e tensioneve në veri të Kosovës.
Ndërkohë, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara e mbështeti misionin e UNMIK-ut, por vlerësoi se situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm dhe kërkoi shuarjen graduale të këtij misioni, duke e cilësuar si të tejkaluar në funksionin e tij fillestar.
/REL/



