Sport

UEFA njeh Çekinë dhe Sllovakinë si kampionë të Evropës 1976

Pas gati pesë dekadash, UEFA ka njohur zyrtarisht Çekinë dhe Sllovakinë si kampione të Evropës për edicionin e vitit 1976. Deri tani, trofeu i asaj kohe njihej vetëm si fitore e Çekosllovakisë, shtet që u shpërbë në vitin 1992.

Turneu i vitit 1976 do të mbahet mend për finalen dramatike ndaj Gjermanisë Perëndimore në Beograd, e cila pas 120 minutash përfundoi 2-2 dhe u vendos nga penalltitë. Pikërisht aty lindi legjenda e Antonín Panenkës, me goditjen e tij të famshme “parabollë” që i siguroi Çekosllovakisë trofeun historik.

Në rrugën drejt suksesit, kombëtarja eliminoi rivalë të mëdhenj si Anglia, Portugalia, Bashkimi Sovjetik dhe Holanda e Johan Cruyff. Në atë skuadër, tetë prej futbollistëve ishin sllovakë, duke e bërë vendimin e UEFA-s për të njohur edhe Sllovakinë e pavarur si fituese një akt të vonuar, por të rëndësishëm.

Në faqen zyrtare të UEFA-s, tani figurojnë të dy vendet – Çekia dhe Sllovakia – si kampione të Evropës për vitin 1976.

Panenka, duke kujtuar finalen, tha se vendimi për të kaluar direkt te penalltitë u mor vetëm ditën e ndeshjes, pas kërkesës së Federatës Gjermane që të mos ketë përsëritje, pasi lojtarët e saj kishin rezervuar pushimet.

“Unë nuk kisha problem të gjuaja majtas apo djathtas. Gjithmonë prisja lëvizjen e portierit dhe më pas zgjidhja drejtimin e goditjes,” ka kujtuar Panenka për Sport360.

Pas këtij vendimi historik, Çekia dhe Sllovakia janë zyrtarisht pjesë e listës së kampionëve të Evropës, duke ndarë lavdinë e vitit 1976.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button