Kosova

U ngrit aktakuzë për kontrabandim me migrantë ndaj një shtetasi në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit U.K., për veprën penale “Kontrabandimi me migrantë” sipas nenit 164, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 19 nëntor 2024, në afërsi të pikës kufitare të Vërmicës, i pandehuri U.K. dyshohet se ka ndihmuar në mënyrë të paligjshme hyrjen në territorin e Kosovës të katër migrantëve – një shtetas maroken, një sirian dhe dy egjiptianë – me qëllim përfitimi financiar. Para ngjarjes, më 14 nëntor, ai dyshohet se ishte marrë vesh me një person të identifikuar si “A.” për të organizuar hyrjen ilegale të migrantëve.

Në ditën kritike, U.K. kishte marrë me qira një veturë “Golf 7” nga një kompani “rent a car” dhe ishte nisur drejt kufirit me Shqipërinë. Pasi kishte pritur migrantët që kishin hyrë në Kosovë jashtë pikës zyrtare kufitare, i kishte ngarkuar në veturë me qëllim që t’i transportonte drejt kufirit me Serbinë, ku pritej të merrte përfitime pasurore.

Mirëpo, gjatë rrugës, automjeti u ndalua nga Policia e Kosovës dhe në të u gjetën katër migrantët. Për shkak të ndërhyrjes së policisë, i pandehuri nuk kishte arritur të përfitonte shpërblimin e planifikuar.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet në përputhje me ligjin.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button