Turizmi në Shqipëri arrin rekorde të reja, por paralelisht rriten rreziqet e betonizimit dhe mbingarkesës

Pas vitit 2016, krizat politike në destinacione të njohura si Turqia, Egjipti apo Maroku bënë që vëmendja e agjencive ndërkombëtare të zhvendosej drejt Shqipërisë. Bumi i vërtetë turistik u shënua pas pandemisë, ku për herë të parë në histori, numri i turistëve të huaj e kaloi shifrën 10 milionë në vitin 2023 dhe 11.7 milionë në 2024.
Shqipëria mori vëmendje të veçantë në mediat e huaja, që e etiketuan si “Maldivet e Europës”, për bukuritë natyrore dhe koston e ulët. Sipas Bankës së Shqipërisë, të ardhurat nga turizmi në vitin 2024 arritën në 5 miliardë euro, me një bilanc pozitiv prej 2.3 miliardë eurosh, duke dhënë një shtysë të fortë për ekonominë.
Kjo rritje ka nxitur një valë të re investimesh, kryesisht në fshatra turistikë dhe prona të paluajtshme. Sektori i “akomodimit dhe shërbimit ushqimor” përbënte 3.6% të PBB-së në fund të 2023-shit, krahasuar me vetëm 1.54% në vitin 2016. Në tre vitet e fundit, të huajt kanë blerë afro 1 miliard euro prona në Shqipëri, ndërsa vetëm nga qiradhënia përmes platformave si Airbnb janë gjeneruar 85 milionë euro në 2024 – një rritje prej 85% krahasuar me vitin paraardhës.
Megjithatë, ky zgjerim i vrullshëm nuk po ndodh pa pasoja. Infrastruktura publike nuk po e përballon dot rritjen, duke shkaktuar trafik dhe mbingarkesë. Ndërkohë, çmimet e pronave dhe qirave janë rritur ndjeshëm, duke ndikuar negativisht si te banorët vendas, ashtu edhe te turistët që e kanë zgjedhur Shqipërinë për çmimet e lira.
Rreziku më i madh lidhet me ndërtimet pa kriter, sidomos në jug të vendit. Bregdeti po përjeton një valë betonizimi, që po zëvendëson zonat natyrore me komplekse shumëkatëshe dhe resorte private. Mediat ndërkombëtare kanë nisur të raportojnë për këtë fenomen. Gazeta britanike “Telegraph” paralajmëroi për një “makth nga mbingarkesa turistike”, ndërsa gazetarja Rebecca Astill përshkroi Ksamilin si një vend të tejmbushur me ndërtime, larg imazhit autentik që reklamojnë broshurat turistike.
Qeveria duket se ende nuk ka një model të qartë për zhvillimin turistik, ndërkohë që përpiqet të kalojë drejt një turizmi elitar, në mungesë të infrastrukturës adekuate, menaxhimit të mbetjeve dhe fuqisë punëtore të kualifikuar. Investimet aktuale janë më së shumti të fokusuara në komponentin rezidencial dhe jo në zhvillimin e resorteve me shfrytëzim të integruar turistik.
Specialistët paralajmërojnë se kjo qasje mund të çojë në një “Golemizim” të gjithë bregdetit shqiptar, ndërsa një ecuri e ngjashme kërcënon edhe zonat malore me hyrjen në fuqi të projektit të ri për “paketën e maleve”.
Shqipëria është në një moment kyç: midis potencialit për t’u shndërruar në një destinacion të qëndrueshëm evropian dhe rrezikut për të humbur vlerat që e bënë tërheqëse në radhë të parë.