Bota

Trump i kthen me shaka “ofendimin” ambasadorit australian: “As ti nuk më pëlqen – dhe ndoshta kurrë s’do të më pëlqesh”

Një moment i pazakontë ndodhi në Shtëpinë e Bardhë gjatë një konference shtypi mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit australian Anthony Albanese, kur kreu i Shtëpisë së Bardhë iu drejtua ambasadorit australian Kevin Rudd me një koment ironik që shkaktoi të qeshura në sallë.

Gjatë konferencës, një gazetar australian pyeti Trumpin për komentet e dikurshme të Ruddit, i cili e kishte quajtur “budalla fshati” në vitin 2021. Trump reagoi me humor, duke pyetur:
“Ka thënë diçka një ambasador? Nuk di gjë për të. Nëse ka thënë diçka të keqe, ndoshta do donte të kërkonte falje. Mos ma thuaj.”

Më pas, duke e vënë re Ruddin në sallë, Trump e pyeti:
“Ke folur keq?”

Ambasadori australian u përpoq të sqaronte diçka, por presidenti e ndërpreu menjëherë me batutën që u bë momenti kulmor i konferencës:
“As ti nuk më pëlqen. Dhe ndoshta kurrë s’do të më pëlqesh,” tha Trump, duke shkaktuar të qeshura të forta në sallë.

Sipas The Guardian, gjysmë ore më vonë, gjatë një takimi më të ngrohtë me kryeministrin Albanese, Rudd iu afrua Trumpit për t’i kërkuar falje për komentet e së kaluarës. Burime australiane thanë se Trump ia ktheu me buzëqeshje: “Gjithçka është falur.”

Në kontrast me tensionet që shumë analistë i kishin përshkruar si “ftohje diplomatike” mes dy vendeve, takimi i Trumpit me Albanesen ishte i qetë dhe pozitiv. Presidenti amerikan lavdëroi kryeministrin australian, nënshkroi një marrëveshje të rëndësishme për mineralet kritike dhe foli me admirim për gazetarët australianë të pranishëm.

Edhe pse Rudd dikur e kishte përshkruar Trumpin si “jo ndonjë forcë intelektuale” dhe kishte fshirë postime të vjetra ku e kritikonte, duket se presidenti amerikan këtë herë preferoi ta kalonte gjithçka me humor.

Në fund, incidenti që pritej të shkaktonte tension diplomatik, përfundoi si një episod plot të qeshura në një nga sallat më të dekoruara të Shtëpisë së Bardhë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button