Kosova

TRI LIBRA QË SFIDOJNË REALITETIN DHE NXISIN DEBAT NË KOSOVË

Në kohën kur sfidat shoqërore, institucionale dhe teknologjike kërkojnë përgjigje më të thelluara dhe më të argumentuara, tre autorë shqiptarë vijnë me tri vepra të cilat synojnë të nxisin reflektim, debat dhe qasje të reja në mendimin profesional dhe publik.

Shoqata e Shkencëtarëve të Kosovës (SHSHKos), në kuadër të angazhimeve të saj për avancimin e mendimit shkencor dhe profesional në vend, do të organizojë më 07 Maj 2026 duke filluar nga ora 12.00, në ambientet e Institutit Albanologjik në Prishtinë, promovimin e tri veprave shkencore të cilat trajtojnë tema me rëndësi të veçantë për zhvillimin bashkëkohor të shoqërisë. Në këtë aktivitet do të prezantohen librat e autorëve Dr. Agim A. Krasniqi, Dr. Drita Shaqiri dhe Dr. Lavdim Hamiti, të cilët përmes punimeve të tyre, sjellin kontribute konkrete në fusha si komunikimi, zhvillimi organizativ dhe teknologjia moderne.
Këto botime paraqesin ndërthurje të rëndësishme të analizës teorike me përvojën praktike, duke adresuar çështje të cilat lidhen drejtpërdrejt me realitetin institucional dhe profesional. Përmes trajtimit të temave si komunikimi dhe etika publike, aftësitë komunikuese në biznes dhe roli i teknologjisë në sigurinë dhe zhvillimin modern, autorët synojnë të ofrojnë qasje të strukturuara dhe të dobishme për publikun akademik dhe profesionist.

Ky promovim përveç se është një aktivitet të zakonshëm letrar, por është edhe pjesë e procesit më të gjerë të konsolidimit të rolit të Shoqatës së Shkencëtarëve të Kosovës si platformë për prodhimin dhe promovimin e dijes në vend. Gjatë periudhës së fundit, Shoqata ka intensifikuar aktivitetet e saj në drejtim të krijimit të hapësirave për debat të mirëfilltë akademik, përfshirjes së studiuesve nga fusha të ndryshme dhe ndërlidhjes së dijes me praktikën institucionale dhe shoqërore.

Në kohën kur sfidat zhvillimore kërkojnë qasje të argumentuara dhe të bazuara në analiza të thelluara, iniciativa të tilla paraqesin kontribut të rëndësishëm në forcimin e kulturës së debatit profesional dhe në rritjen e rolit të dijes në vendimmarrje. Promovimi i këtyre tri librave synon të shërbejë si hapësirë reflektimi dhe bashkëbisedimi ndërmjet komunitetit akademik, përfaqësuesve institucionalë dhe publikut të gjerë.
Të gjithë të interesuarit janë të mirëpritur të marrin pjesë në këtë aktivitet, i cili synon të promovojë dijen, bashkëpunimin dhe zhvillimin profesional në shoqërinë tonë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button