Sport

Transferimi i Zabarnyi te PSG rrezikon tensione me portierin rus Safonov

Transferimi i mbrojtësit ukrainas Ilia Zabarnyi nga Bournemouth te Paris Saint-Germain mund të sjellë tensione në dhomat e zhveshjes së klubit francez, për shkak të marrëdhënieve të vështira që priten me portierin rus Matvey Safonov. Situata lidhet me konfliktin e vazhdueshëm mes Ukrainës dhe Rusisë prej më shumë se tre vitesh.

Sipas “Footmercato”, një analizë e rrjeteve sociale të bërë nga mediumi ukrainas “Tribuna” tregon se Zabarnyi ka ndjekur në rrjetet sociale të gjithë shokët e rinj të skuadrës, përveç Safonov. Lojtari 22-vjeçar ka shprehur hapur mbështetjen për vendin e tij dhe ky veprim shihet si në përputhje me qëndrimet e tij të mëparshme publike.

Në të njëjtën kohë, përdorues rusë të internetit kanë vënë re se gruaja e Zabarnyi-t ka fshirë të gjitha postimet e vjetra ku ofendonte rusët. Një prej tyre kishte shkuar deri te shprehja: “Është për të ardhur keq që nuk mund të fshihen nga planeti përgjithmonë.” Nuk dihet nëse ky hap ka qenë një vendim personal, një sugjerim nga lojtari, apo një kërkesë e vetë PSG-së për të shmangur përplasjet e mundshme.

Ndërkohë, Safonov ka qenë në listën e lojtarëve që mund të largohen këtë verë, por situata ka ndryshuar pas largimit të sigurt të Gigio Donnarumma-s, duke rritur gjasat që portieri rus të mbetet në skuadër.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button